LDK-ja pro marrëveshjes, aktivistët e VV-së dalin kundër

Marrëveshja e arritur mes Kosovës e Serbisë për hekurudhat dhe autostradat duket se ka përçarë koalicionin qeverisës LDK-VV.

Dy zyrtarë të lartë të LDK-së, tashmë kanë përshëndetur këtë marrëveshje. Përveç, Skënder Hysenit, marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se çdo marrëveshje e arritur mes Kosovës e Serbisë, çon në normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe në njohje reciproke është e mirëpritur.

“Roli kyç i SHBA-së në dialogun e Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm. Çdo marrëveshje e arritur, e cila çon në normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe në njohje reciproke është e mirëpritur.

Letra e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Pompeu dhe angazhimi i Ambasadorit Grenell janë tepër të qarta”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, aktivisti i VV-së, Donik Sallova, i cili kohën e fundit ka këshilluar kryeministrin Albin Kurti, ka dal kundër kësaj marrëveshjeje.

“Nënshkrimi i marrëveshjes nga dy drejtorët e Transportit dhe Infrastruktures të Kosovës me Marko Gjuriqin (drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën e Metohinë) e jo me homologet e tyre përkatës të transportit dhe infrastrukturës së Serbisë, e bën plotësisht të duket këtë akt si marrëveshje ndërmjet “autoriteteve përkatëse krahinore” dhe shefit të qeverisë serbe për krahinën!”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, në rastin më pak të volitshëm kjo marrëveshje do duhej nënshkruar në mes homologëve drejtorë të transportit dhe infrastrukturës të të dyja vendeve, ndërsa rëndom si marrëveshje mes dy shteteve do duhej nënshkruar nga krerët politik të dikasterit të transportit e infrastrukturës, pra Ministrat!

“Homo-kompromisusi Thaçi do bëj çdo kompromis të mundshëm për të mbijetuar edhe ndonjë ditë në politikë!”, ka shkuar ai.

Edhe me tutje ndaj kësaj marrëveshje nuk ka reaguar kryeministri, Albin Kurti, i cili është nisë për Mynih të Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *