Stigma nga COVID-19

Emergjencat qofshin ato  natyrore apo shëndetësore si në rastin e pandemisë aktuale, aktivizojnë intenzivisht sistemin psikologjik mbrojtës dhe kjo mund të shpie në një disbalancë psikologjike, që rezulton në ankth, pasiguri, konfuzion, e gjitha kjo në përpjekje të mbijetesës. Sado që ky lloj i sjelljejs është i natyrshëm në të tilla situata, fatkeq  ësisht shpesh shpie në stigmatizim të njerëzve tjerë që mund të shihen si rrezik potencial.

Stigma është mohimi ose diskriminimi ndaj një apo më shumë personave bazuar në karakteristikat e perceptueshme shoqërore të cilat shërbejnë për t’i dalluar ata nga anëtarët e tjerë të një shoqërie dhe stigmat sociale zakonisht lidhen me kulturën, gjininë, racën, inteligjencën dhe shëndetin. Kur është fjala për emergjenca shëndetsore siç është pandemia e tanishme, ruajtja e konfidencialitetit të personave të prekur është një ndër parimet kyqe  pasi që në të kundërtën stigmatizimi i tyre do të jetë i pashmangshëm për shkak të një mori aryesesh.

Së pari COVID-19 është akoma një virus me plot të panjohura dhe që ka nxitur edhe histori të shumëta konspirative që domosdoshmërisht ngjallin frikë dhe panik. Duke pasur parasysh që gjithçka që nuk kuptohet mjaftueshëm krijon frikë dhe pasiguri, rrjedhimisht publikimi i emrave të të prekurve nga COVID-19, mund të krijojë një terren të përshtatshëm për margjinalizimin e tyre jo vetëm nga rrethi i gjërë social por edhe nga përsonat e afërm. Margjinalizimi dhe stigmatizimi i tyre mund të jetë në aspektin social, atë të punësimit, edukimit dhe kjo mund të rrënojë jetën e atyre që janë subjekt i stigmatizimit. Kjo gjë ndodh për shkak të frikës që njerëzit mund të kenë për të panjohurat e kësaj pandemie, për shkak të frikës për veten dhe për familjet e tyre etj.

Informacioni i pabazuar dhe konfuz që mundësohet përmes rrjeteve sociale ka bërë që stigma dhe ankthi të jetë disproporcional me situatën reale, dhe fatkeqësisht mënyra edhe se si disa nga profesionistët komunikojnë për COVID-19 lë për të dëshiruar.

Publikimi i rezultateve të testimit në orët e vona ka ndikuar ndjeshëm shëndetin mendor të shumë njerëzve të cilët kanë qëndruar të mbyllur, duke dëgjuar lajme gjatë gjithë kohës dhe duke pritur tërë ditën në ankth publikimin e rezultateve nga testimet e bëra gjatë ditës. Triangulimi i informacionit është kushti minimal i domosdoshëm në secilën fushë para se t’u komunikohet publikut, gjithsesi një gjë në masë të madhe nuk është përfillur edhe nga vet gazetarët.

Terminologjia e përdorur si izolim, rast i dyshimtë, karantinë, distancim social etj ndonëse mund të jenë terma profesional kanë konotacion negativ dhe janë me impakt në psikologjinë tonë. Fokusi i mediave dhe i vet zyrtarëve përgjegjës në identifikimin e rasteve individuale apo edhe zonave të caktuara të vendit në kërkim të burimit dhe shpërndarjes së infeksionit ka pasur një ndikim shumë negativ në shëndetin mendor të këtyre individëve dhe gjithashtu atyre që kanë jetuar në ato zona.

Një çështje tjetër me të cilët në mënyrë ndoshta fare të pavetëdijshme është abuzuar janë dy kategori të popullsisë: të moshuarit dhe të sëmurët kronik, duke ngjallur tmerr dhe frikë të madhe ndonëse ata edhe janë përballur dhe sfiduar çdo ditë nga pasiguria e gjendjes së tyre, kjo ka shtuar tmerrin tek ta. Stigmatizimi publik dhe i vërejtur përmes mosruajtjes së anonimitetit të atyre që janë përballur me këtë virus mund të ndikojë fare lehtë tek të gjithë ata që mund të kenë simptoma të këtij infeksioni apo që dyshojnë që mund të jenë të prekur. Kjo mund të bëjë që këta njerëz ta fshehin sëmundjen e mundshme të tyre, t’i parandalojë ata të kërkojnë ndihmë me kohë, dhe përfundimisht ndikon në krijimin e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pashëndetshme.

Pasojat e përjetimit të infeksionit me COVID-19 dhe stigmatizimit nga ana e shoqërisë lë vrragë të pashlyeshme në shëndetin mendor të njerëzve që janë sfiduar në këtë mënyrë, dhe këta krahas intervenimit farmakologjik kanë një nevojë immediate të trajtimit psikologjik, gjë që realisht është bërë pak deri më tani.

Ndihma e parë psikologjike që jepet në rastet e emergjencave të tilla është afatshkurte dhe jepet vetem në fillimet e para të emergjencave, në këtë rast pandemisë, por ajo që kërkohet tani dhe për të cilën kanë nevojë njerëzit është ndihma e mirëfilltë psikologjike, psikoterapia nga profesionstë të licensuar të fushës,  në mënyrë që të jenë në gjendje të kthehen në binarët e punës dhe jetës.

 

As rimëkëmbja ekonomike nuk do të jetë e mjaftueshme nëse njerëzit nuk arrijnë balancin e nevojshëm psikologjik që të ecin para e kjo me theks të veçantë për ata që mund të kenë pasur probleme me shëndetin e tyre mendor para pandemisë.

Latif Hoxha Phd c

Specialist i Psikologjisë Klinike dhe  Psikoterapisë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *